Rivitalizimi urban i Vlorës, FSHZH hap tenderin 150 milionë lekë për infrastrukturën
Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka shpallur garën për një projekt rivitalizimi urban në qytetin e Vlorës, me qëllim modernizimin e infrastrukturës tregtare dhe ruajtjen e identitetit historik të zonës.
Sipas dokumenteve të publikuara në Agjencinë e Prokurimit Publik, fondi limit i përllogaritur është 150 milionë e 788 mijë lekë, ndërsa ndërhyrjet do të fokusohen në përmirësimin e hapësirave publike, rrugëve tregtare dhe fasadave të objekteve me vlera arkitektonike e kulturore.
Dy shtylla kryesore të projektit
Programi i ndërhyrjeve është ndarë në dy fusha kryesore: rivitalizimin urban dhe restaurimin e fasadave. Synimi është krijimi i hapësirave funksionale e tërheqëse për komunitetin, duke ruajtur trashëgiminë historike dhe arkitektonike të qytetit.
Do të realizohet unifikimi i trotuareve dhe shtrimeve, përmirësimi i ndriçimit publik dhe instalimi i elementeve të relaksit si stola e hapësira pushimi. Po ashtu, do të aplikohet koncepti i “infrastrukturës së gjelbër”, për të siguruar një zhvillim të qëndrueshëm dhe miqësor ndaj natyrës.
Ruajtja e trashëgimisë kulturore
Projekti përfshin identifikimin dhe restaurimin e objekteve me vlera historike e kulturore, me qëllim që ato të përshtaten për përdorim modern pa humbur autenticitetin e tyre. Ndërhyrjet do të synojnë ruajtjen e elementeve arkitektonike origjinale, si dritaret, ballkonet dhe dyert, për të shmangur kaosin vizual dhe për të forcuar identitetin urban të zonës.
Zonë e re multifunksionale për qytetarët
Një ndër pjesët kryesore të projektit do të jetë zona ndërmjet rrjetit tregtar dhe blloqeve rezidenciale, e cila aktualisht paraqitet e degraduar. Pasi të rikualifikohet, kjo hapësirë do të shndërrohet në një nyje lidhëse funksionale dhe vizuale të qytetit, duke u bërë një pikë e re sociale dhe komunitare për qytetarët e Vlorës.
Rikualifikimi përfshin organizimin e gjelbërimit, vendosjen e elementeve të mobilimit urban si ndriçues, stola, kosha dhe mbulesa hijëzuese, përmirësimin e aksesit për këmbësorët dhe krijimin e një pamjeje të re estetike. Projekti pritet të rrisë cilësinë e jetesës dhe të forcojë përfshirjen sociale në zonë.